Drejtues administativ
Kujtimet janë gjurmët tona në jetë, janë mbresat që vetë jeta lë tek ne. Të merresh me kujtimet, t’i sistemosh në mendje e t’i shkruash ato në letër, zakonisht kjo ndodh në moshë të shtyrë, në pleqëri. Ndërsa ne po e bëjmë këtë gjë sot me këtë libër kujtimesh, jo në moshë të thyer, por në bukurinë e 10 viteve të para të “Vatrës së dijes”. 10 vite në jetën e një njeriu mund të jenë shumë, por në jetën e një institucioni siç është shkolla, janë vërtet shumë pak. Për ne, “vatranët”, janë 10 vite shumë të rëndësishme, sepse përkojnë me kohën kur ne u krijuam e u rritëm si shkollë, kur ne projektuam të ardhmen e saj, të cilën e bëmë realitet përmes punës e përpjekjeve të përbashkëta e të ditëpërditëshme. “Vatra” u ideua dhe u konkretizua 10 vjet më parë si një përpjekje për të dhënë një shembull e një model se mund të ngresh një institucion edukimi duke mos e pasur biznesin qëllim të parë, se mund të ngresh një shkollë pa e konceptuar atë si një vend ku mund të “blihen” nota e rezultate shkollore. Jemi sot krenarë që ia dolëm ta bëjmë “vatrën” tonë edhe vatrën tuaj të dijes. Profesioni ynë ka një privilegj të veçantë: ne, edukatorët e mësuesit, jemi të projektuar te nxënësit tanë, jemi të përbrendësuar tek ata, në kujtimet dhe në mbresat e tyre. Ne do të kemi mundësinë e papërsëritshme që të jetojmë te ata edhe kur ne vetë nuk do të jemi më në këtë jetë. Prandaj, përmes këtij botimi, duam ta shohim veten tonë me sytë e nxënësve tanë, duam që ata të fiksojnë në kujtimet e në mbresat e tyre vitet e kaluara në këtë shkollë. Le të mbeten ato vite të bukura të fillimeve të rrugës së tyre të dijes e të jetës! Le të bëjmë të mundur që nesër, kur të rriten, të kenë të drejtë të thonë me krenari: “Kam qenë edhe unë nxënës i “Vatrës së dijes”!
Përshëndetje: Drejtues administativ
Kastriot Gjika